– “Pa dyshim, këtu ka shumë mësime për atë që i druhet Dënimit të Jetës Tjetër.” – Në të gjitha këto histori të përmendura, te ndëshkimet që Allahu i Madhëruar zbriti mbi zullumqarët, ka fakte të shumta për këdo që i druhet ndëshkimit në ahiret. Këto histori ndikojnë tek ata që e besojnë ringjalljen dhe llogarinë para Zotit të Gjithëditur dhe të Drejtë. Ato na mësojnë se të gjithë ata që bëjnë padrejtësi dhe krime, kanë për të vuajtur ndëshkimin e dynjasë dhe të ahiretit. Ata do ta marrin shpagimin të plotë, ashtu sikurse e meritojnë, nga Allahu i Lartësuar, i Cili është i Drejtë dhe Ndëshkues i ashpër. Më pas, Allahu i Lartësuar vijon që të përshkruajë ahiretin:
– “Ajo është dita e tubimit të njerëzve dhe dita që do ta dëshmojnë (të gjithë).” – Atë ditë, njerëzit do të mblidhen bashkë për të marrë të plotë shpërblimin e merituar, i mirë ose i keq qoftë, sipas veprave të tyre. Pushteti dhe sundimi i Allahut të Lartësuar do t’u shfaqet hapur. Të frikësuar e kokëulur para madhështisë së Allahut dhe drejtësisë së Tij absolute, njerëzit do të shpresojnë në mëshirën e Tij të gjerë. Atë ditë, ata do ta njohin Allahun e Lartësuar plotësisht, me fuqinë dhe pushtetin e Tij gjithëpërfshirës. Allahu i Lartësuar thotë se ajo është dita e dëshmuar. Për vërtetësinë e saj ka dëshmuar Allahu, melekët e Tij dhe të gjitha krijesat. Ajo është dita që do ta dëshmojnë dhe do ta përjetojnë të gjithë, pa përjashtim