– “Dhe kapuni fort që të gjithë pas “litarit” (fesë) të Allahut e mos u përçani!” – Pra, i Lartësuari na urdhëron që të mblidhemi të gjithë rreth fesë së Tij, duke zbatuar porositë dhe udhëzimet e Tij. Ne duhet të njësojmë radhët tona, duke u bashkuar dhe duke iu larguar përçarjes mes nesh. Nëse ndjekim udhëzimet dhe fenë e Zotit të gjithësisë dhe nëse ndihmojmë e mbështesim njëri-tjetrin, sigurisht që do të rregullohen çështjet e dynjasë dhe të fesë tonë.
Suksesi i shumë çështjeve është i lidhur ngushtë me bashkimin e zemrave të këtij umeti. Për t’i qëndruar sfidave të kësaj bote, është e domosdoshme që ne të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të kryer vepra të mira dhe për devotshmëri ndaj Zotit. Vetëm duke mbështetur dhe mbajtur njëri-tjetrin mund të ecim të sigurt dhe të bëjmë hapa të mëdha në rrugën e Zotit.
Por nëse përçahemi dhe braktisim njëri-tjetrin, duke shfaqur armiqësi dhe urrejtje, atëherë çdokush do të punojë sipas qejfit dhe, sigurisht, sistemi ynë do të shkatërrohet. Kështu do të jemi të pafuqishëm në përballjen me armiqtë tanë, që janë aq të shumtë dhe të pamëshirshëm. Pastaj Allahu i Lartësuar u përkujton besimtarëve mirësinë e Tij ndaj tyre dhe i urdhëron ata që gjithmonë ta përmendin dhe ta çmojnë këtë mirësi të mrekullueshme që u ka dhurar:
– “Dhe kujtojeni (me mirënjohje) mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar me njëri-tjetrin e Ai i bashkoi zemrat tuaja, …” – Kuptimi: Dikur, ju vrisnit dhe plaçkisnit njëri-tjetrin. Brenda fiseve, qyteteve e fshatrave tuaja kishte luftëra të ashpra e të përhershme. Vërtet, ju ishit në një gjendje tepër të rëndë para shfaqjes së Profetit të mëshirës. Pasi Allahu i Lartësuar e dërgoi Profetin tek ju, Ai ju dha sukses që ta besoni dhe të bashkoheni të gjithë rreth Islamit, rreth fesë së paqes. Kështu, ju u bëtë si një trup i vetëm, që e doni dhe e ndihmoni njëri-tjetrin. Më pas, thotë i Lartësuari:
– “… dhe kështu, me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër.” – Mirësia e Tij është besimi. Pra, me mirësinë e Zotit tuaj, ju u bëtë vëllezër për hir të Tij dhe të bashkuar, sikur të kishit një zemër të vetme.
– “Ju ishit buzë Gropës së Zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej saj.” – Me gjendjen tuaj para besimit, ju ishit gati për të rënë në zjarrin e Xhehenemit. Asgjë nuk qëndronte mes jush dhe Xhehenemit, veçse vdekja. Pra, nëse do të vdisnit në atë gjendje, pa besim dhe me armiqësi me njëri-tjetrin, ju do të hynit pashmangshmërisht në Zjarr. Porse Allahu i Lartësuar ju shpëtoi prej Zjarrit, duke ju dhënë sukses që të besoni dhe të pasoni udhëzimin e qartë dhe të sigurt, të sjellë nëpërmjet Muhamedit (a.s).
– “Kështu jua sqaron Allahu Argumentet e Veta, që ju ta gjeni udhëzimin e sigurt.” – Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua sqaron juve të vërtetën nga e gabuara, udhëzimin e drejtë nga rruga e shtrembër, me argumente të kuptueshme, që ju të gjeni rrugën dhe ta shihni qartë atë. Allahu i Lartësuar na i qartëson të vërtetën, që ne ta njohim atë, të krijojmë siguri të plotë rreth saj dhe të punojmë me sinqeritet për ta kënaqur Atë, Zotin tonë, sipas ligjeve të Tij.
Ky ajet tregon se Allahu i Lartësuar e dëshiron dhe kënaqet që adhuruesit e Tij të kujtojnë dhe t’i përmendin me zemër dhe me fjalë mirësitë që Ai u ka dhuruar. Duke i kujtuar ato vazhdimisht, besimtarët do ta shtojnë mirënjohjen dhe dashurinë për Allahun. Pastaj, duke qenë mirënjohës ndaj Tij dhe duke e dashur Atë, atëherë, sikurse ka premtuar vetë Allahu, Ai do t’ua shtojë edhe më shumë mirësitë atyre. Pa dyshim që nga mirësitë më të mëdha që duhen kujtuar është mirësia e udhëzimit në rrugën e drejtë, në fenë Islame, është ndjekja e udhëzimeve të sakta e të qarta të Profetit (a.s), është bashkimi i zemrave dhe i radhëve tona dhe mospërçarja midis nesh.