Select Page

– “Ky është Allahu, Zoti juaj. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, përveç Tij. Ai është Krijuesi i çdo gjëje, ….” – Është Ai që meriton adhurimin, maksimumin e dashurisë dhe maksimumin e nënshtrimit ndaj Tij, madhërimit e përunjësisë para Tij. Është Ai që i krijoi të gjitha krijesat dhe përkujdeset për to, duke u mundësuar çdo mirësi dhe duke u larguar çdo të keqe.

“… prandaj vetëm Atë adhuroni!” – Kur ju të bindeni dhe të pranoni me siguri se vetëm Allahut i takon adhurimi, me çdo rrugë e formë, atëherë përkushtojani vetëm Atij të gjitha llojet e adhurimeve, me sinqeritet vetëm për Të dhe duke synuar vetëm kënaqësinë e Tij. Ky është qëllimi pse jeni krijuar: “Nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, veçse për të më adhuruar Mua.” [Dharijat 56].

– “Ai përkujdeset për gjithçka” – Çdo gjë është në administrimin dhe përkujdesjen e Allahut të Madhëruar. Ai krijon dhe përkujdeset për krijesat dhe Ai rregullon çdo çështje të tyre. Dihet mirë se diçka e lënë në përkujdesin e dikujt është në varësi të kujdestarit të saj. Por përkujdesja e Allahut nuk është si ajo e robit. Përkujdesja e robit është e varur nga ai që e ka vendosur në atë detyrë dhe udhëzimet e kushtet e tij.

Ndërsa përkujdesja e Allahut, Krijuesit të gjithçkaje, është e pakufizuar dhe e pacenuar. Ajo është e ndërtuar mbi diturinë e plotë, mbi mëshirën dhe bamirësinë e pakufishme dhe mbi drejtësinë absolute. Askush nuk mund të kritikojë e kontestojë përkujdesjen e Allahut. Në krijimin dhe administrimin e çështjeve nga Allahu nuk mund të gjesh asnjë defekt, mangësi apo kotësi. Prej përkujdesjes së Allahut të Madhërishëm është edhe qartësimi i plotë i fesë së Tij, duke e ruajtur atë nga devijimi e ndryshimet. Gjithashtu, Ai ka marrë përsipër që t’i ruajë dhe mbrojë besimtarët nga çdo gjë që ua largon ose ua dëmton imanin dhe fenë e tyre.