Select Page

– “Kur të jesh mes tyre (o Muhamed) e dëshiron t’u prijsh në faljen e namazit (në luftë), atëherë disa prej tyre le të vijnë e të falen me ty dhe le t’i mbajnë pranë edhe armët e veta. Kur të mbarojnë sexhden, këta le të qëndrojnë prapa jush (në roje) e le të vijnë ata të tjerët, që ende nuk janë falur e le të falen me ty! Le të jenë në gjendje gatishmërie, duke mbajtur armët e veta!” – Kuptimi: Kur të falësh së bashku me ta namazin, duke e kryer atë në formën që duhet, ti u sqaron atyre rregullat dhe gjithçka duhet rreth namazit. Pastaj shtjellohet forma e namazit: Disa prej besimtarëve shkojnë e falen me Profetin (a.s.). Ndërkohë, grupi tjetër qëndon në rojë dhe gatishmëri kundër armikut. Menjëherë sa grupi i parë mbarojnë sexhden, domethënë namazin, ata largohen dhe, pas tyre, shkojnë ata që vigjilonin dhe falin namazin me Profetin (a.s.).

Në ajet thuhet “Kur të mbarojnë sexhden”, në vend të: “Kur të mbarojnë namazin”, për të treguar rëndësinë e sexhdes dhe faktin që ajo është një nga shtyllat e domosdoshme të namazit. Ajeti tregon se imami, pas përfundimit të namazit nga grupi i parë, vazhdon të qëndojë në namaz për të pritur grupin e dytë. Ai vazhdon të falë me grupin e dytë pjesën e mbetur të namazit dhe pret derisa ata të plotësojnë faljen e tyre. Përfundimisht, imami jep selam së bashku me ta. Kjo është njëra nga mënyrat e faljes së namazit të frikës, e transmetuar saktësisht edhe si praktikë e Profetit (a.s.), bashkë me mënyrat e tjera.

Ky ajet tregon, gjithashtu, se falja e namazit me xhemat është detyrim individual. Kjo kuptohet nga dy momente të ajetit. Së pari, Allahu i Lartësuar e bëri detyrë të falemi me xhemat edhe gjatë luftës, kur frika dhe rreziku është aq i madh, e kjo tregon se në kushte të tjera më komode, ajo është edhe më tepër e detyrueshme. Së dyti, gjatë namazit të frikës, tolerohen shumë mangësi të tij, vetëm e vetëm që të bëhet e mundur falja e namazit me xhemat. Kjo tregon rëndësinë e madhe të xhematit. Sikur të mos ishte i detyrueshëm namazi me xhemat, nuk do të lejohej lënia e disa veprave të tjera, që në kushte normale nuk do të liheshin.

Ajeti, gjithashtu, tregon se më e mira dhe më e drejta është falja me xhemat vetëm pas një imami, jo pas disa imamëve. Duke qenë se atëherë ekzistonte mundësia që besimtarët të faleshin me disa imamë, por ata u urdhëruan të faleshin vetëm me një imam, kjo tregon rëndësinë e madhe të kësaj çështjeje. Përçarja në grupe nuk është e lejuar, ndërsa bashkimi rreth një imami të vetëm tregon unitet, krenari dhe forcë kundrejt armikut.

Allahu i Lartësuar urdhëroi secilin grup që të mbajnë me vete dhe gati armët dhe të jenë të vëmendshëm e të kujdesshëm gjatë namazit të frikës. Edhe pse kjo mund të çojë në disa lëvizje dhe veprime të palejueshme gjatë namazit, ato konsiderohen të tolerueshme, për shkak të dobisë dhe nevojës. Dobia në këtë rast është kryerja njëkohësisht edhe e namazit, edhe e xhihadit. Nevoja është ruajtja nga qafirët, të cilët në çdo moment synojnë dëmtimin e muslimanëve dhe grabitjen e të mirave të tyre. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:

  “Jobesimtarët dëshirojnë që ju të jeni të pakujdesshëm ndaj armëve e pajimeve tuaja, me qëllim që t’ju sulmojnë me tërë fuqitë.” Pastaj Allahu i Lartësuar ua lejon atyre që janë të sëmurë apo kur është mot me shi, që të mos i mbajnë armatimet, por gjithmonë duke qenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm:

– “Nëse jeni të lodhur nga ndonjë shi ose jeni të sëmurë, nuk është gjynah për ju që t’i lini armët, por edhe atëherë jini syçelë! Allahu ka përgatitur për jobesimtarët një dënim poshtërues.” – Pjesë e ndëshkimit poshtërues është edhe urdhri i Zotit për besimtarët, për t’i vrarë armiqtë e tyre kudo që t’i zënë dhe për të qenë gjithmonë vigjilentë, që armiqtë të mos ia arrijnë kurrë qëllimit të tyre të zi. Allahu qoftë i Lavdëruar dhe i Lartësuar për mirësitë e shumta me të cilat Ai i ka dalluar besimtarët e Tij mbi të tjerët! Ndër mirësitë më të mëdha janë këto lehtësime, me të cilat Ai i ka ngritur ata në gradat e larta të përsosmërisë dhe krenarisë. Me të tilla dhunti, ata nuk do të mposhten kurrë.