Select Page

– “Thuaj: “Vështroni me vëmendje atë që ndodhet në qiej dhe në Tokë!”  Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij që të vështrojnë në çdo gjë që gjendet në qiej dhe në tokë. Qëllimi këtu është të vështrosh duke përsiatur, studiuar, analizuar dhe duke nxjerrë mësime nga ky krijim i Zotit. Le të meditojmë e të nxjerrim mësime, siç bëjnë të diturit dhe të urtit nga gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë, për të parë argumentet e madhështisë së Krijuesit.

Në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që besojnë. Ato përmbajnë shumë urtësi për ata njerëz që kanë besim të plotë te Zoti i Madhërishëm. Të gjitha këto tregojnë se Allahu është Një i vetëm. Vetëm Allahu meriton të adhurohet me dashuri, madhërim e frikërespekt.

Ai është i lavdëruari e i përshkruari me të gjitha cilësitë e emrat e plotë dhe të bukur. Allahu është Ngadhënjimtari dhe Bujari dhe Atij i takojnë emrat më të bukur, cilësitë më të larta e madhështore. Por me gjithë këto shenja madhështore, që u ka mundësuar krijesave që t’i hulumtojnë, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Por, as argumentet dhe as qortimet nuk u bëjnë dobi atyre që nuk besojnë.” – Ata nuk mund të përfitojnë nga shenjat dhe argumentet, sepse i kanë kthyer shpinën së vërtetës me urrejtje dhe armiqësi.