Select Page

– “Këto janë ato vendbanime, për të cilat Ne të kemi treguar ty disa ngjarje.” – I Madhëruari i rrëfen këto ngjarje që njerëzit të nxjerrin mësime, por prej tyre përfitojnë veçse të diturit e të urtët. Qëllimi tjetër është që zullumqarët të frenohen nga të këqijat e tyre, ndërsa të devotshmit të nxjerrin mësime.

– “Atyre u erdhën të dërguarit me argumente të qarta, …” – Atyre që mohuan profetët dhe Shpalljet e Zotit u erdhën argumente të qarta dhe ftesë për lumturinë e dynjasë dhe ahiretit. Allahu i Madhëruar i mbështeti profetët me mrekulli të shumta dhe të mëdha, që njerëzit të bindeshin se ata ishin të dërguar nga Zoti i qiejve dhe i tokës. Nëpërmjet Shpalljeve të qarta, profetët u shpjeguan popujve të vërtetën. Megjithatë, kjo nuk i ndihmoi dhe nuk i shpëtoi mohuesit nga ndëshkimi i Zotit. Argumentet dhe mrekullitë vetëm e shtonin largimin dhe kundërshtimin e tyre.

– “… por ata nuk donin t’i  besonin asaj që më parë e kishin mohuar.“ – Shkak për këtë ndëshkim ishte pikërisht refuzimi i të vërtetës kur iu komunikua atyre herën e parë. Allahu i Madhëruar nuk e udhëzon një popull që nxiton ta refuzojë të vërtetën. Në suren En’am, ajeti 110, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë dhe do t’i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre.”. Ndërsa në këtë ajet i Madhëruari thotë:

– “Kështu i vulos Allahu zemrat e atyre që nuk besojnë.” – Ky është ndëshkimi i drejtë i Zotit për mohuesit e këshillave të Tij. Allahu i Madhëruar nuk u bën aspak padrejtësi, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre.