Duke i nxitur njerëzit për punë të mira dhe duke i këshilluar që të largohen nga të këqijat, Allahu i Lartësuar thotë:
– “Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, edhe nëse shtimi i së keqes të mahnit.” – Pra, nuk janë të njëjtë besimi dhe mohimi, bindja ndaj Zotit dhe mosbindja ndaj Tij, banorët e Xhenetit dhe banorët e Zjarrit, veprat e mira dhe veprat e këqija, pasuria hallall dhe pasuria haram. Gjithashtu, e keqja nuk iu vlen aspak atyre që e kanë. Përkundrazi, ajo i dëmton ata në çështjet e dynjasë dhe të fesë.
– “Kijni frikë Allahun, o ju që kuptoni, që të shpëtoni!” – Allahu i Madhëruar iu drejtohet të mençurve, me mendje të shëndoshë dhe arsyetim të saktë, sepse nga ata shpresohet që mund të përfitojnë nga porositë e Tij të mrekullueshme, që mirësia të punojë tek ata dhe nëpërmjet tyre.
Ai tregon se çelësi i shpëtimit dhe suksesit është devotshmëria, pra, zbatimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat e Tij, në shenjë dashurie, madhërimi e nënshtrimi për Të. Shpërfillja e devotshmërisë është rrugë drejt humbjes së çdo mirësie dhe drejt zhytjes në ligësi dhe dëshpërim.