– “Dhe ai i uli të dy prindërit lart në fron …” – Domethënë, te froni i Mbretit dhe tek dhoma e Ministrit.
– “… dhe ata u përulën para tij. Ai tha: “O baba! Kjo është përmbushja e ëndrrës sime të dikurshme, të cilën Zoti im tashmë e bëri realitet.” – Kur dy prindërit dhe vëllezërit e tij, të gjithë ranë të përulur, duke shfaqur vlerësimin e madh për të, Jusufi tha: “O baba! Kjo është përmbushja e ëndrrës sime të dikurshme, të cilën Zoti im tashmë e bëri realitet.”
Para shumë vitesh, në vogëli, Jusufi kishte parë në ëndërr 11 yje, diellin dhe hënën t’i binin në sexhde, dhe tashmë ajo ëndërr ishte realizuar. Allahu e bëri një ëndërr të vërtetë dhe jo një ëndërr të kotë apo diçka prej shejtanit të mallkuar.
– “Ai më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut …” – Allahu u tregua shumë Bujar me mua. Këto fjalë dëshmojnë jo vetëm për mirënjohjen e thellë ndaj Allahut të Madhëruar, po edhe për butësinë dhe dhembshurinë e Jusufit për vëllezërit. Gjithashtu, këtu shihet edhe edukata e tij e lartë në të shprehur. Jusufi përmendi vetëm sprovën e burgut dhe nuk i kujtoi telashet që kaloi në pus. Jo vetëm që nuk ua kujtoi atyre këtë gabim, por u tha se ardhjen e tyre e shihte si një bamirësi të madhe të Allahut të Lartësuar kundrejt tij.
– “… dhe ju solli ju të gjithëve këtu nga shkretëtira …” – Plot kujdes dhe butësi, nuk tha: “ju solli këtu nga uria dhe varfëria”. Kështu, Jusufi nuk e rëndoi shpirtin dhe krenarinë e tyre duke u përmendur rrethanat dhe vendin ku jetonin. Përkundrazi, ai tha se kjo ishte një bamirësi personale ndaj tij. Pastaj, me kujdes tha:
– “… edhe pasi shejtani pati futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi.” – Siç shihet, Jusufi nuk tha: “pasi shejtani i nxiti vëllezërit e mi”, porse tha: “… pasi shejtani pati futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi.”. Pra, a thua se gjynahu, padituria dhe mangësia, erdhën nga të dyja palët! Me këto fjalë të zgjedhura ai nuk e kufizoi fajin veçse te vëllezërit e tij. Ky qe vërtet tregues i një edukate të lartë për këtë profet të madh.
Jusufi e kanalizoi bisedën në kuptimin që: “Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar që e poshtëroi shejtanin e mallkuar dhe na bashkoi, pas asaj ndarjeje të dhimbshme dhe të vështirë”. Është e vërtetë se Allahu e afron bamirësinë dhe bujarinë e Tij drejt robit, përmes rrugësh që robi as nuk i ndien. Kur dëshiron të ngrejë dikë në grada të larta, shpeshherë Ai e bën këtë me mënyra që njeriu s’i pëlqen dhe e ka të vështirë t’i përballojë.
– “Zoti im është i butë dhe i mëshirshëm me atë që do.” – I lartësuar dhe plot begati është Allahu i Madh. Ai është bujar me ata që i ka veçuar për t’i përfshirë me mëshirën e Tij. Allahu u kushton atyre përkujdesje, bujari e butësi të madhe.
– “Ai është, vërtet i Gjithëdituri dhe i Urti.” – Allahu është i Gjithëdituri, është Ai që i di hollësisht të gjitha çështjet, qofshin ato të hapura, qofshin ato të fshehta, që struken në zemrat e njerëzve. Allahu është i Urti, që vendos çdo gjë në vendin e vet. Allahu i realizon çështjet pikërisht në kohën kur Ai i ka përcaktuar, me urtësinë dhe diturinë e Tij të madhe.