Select Page

I Lartësuari  i nxit robërit e Tij të meditojnë për mirësinë, bujarinë dhe mëshirën e Tij për ta dhe të tregohen mirënjohës, duke u kujtuar vendbanimin e tyre:

– “Ne ju vendosëm në tokë …” – Ju vendosëm në tokë, të cilën e gatitëm dhe e nënshtruam për ju, në mënyrë të tillë që ju të ndërtoni mbi të, ta punoni, ta mbillni, të hapni rrugë në të etj.

– “… dhe ju mundësuam gjithçka për jetën në të …” – Nëpërmjet bimësisë që kultivohet në tokë, nëpërmjet mineraleve dhe thesareve të fshehura në të, e shumë mirësive të tjera, Allahu i Madhëruar ju mundëson një jetë të mirë dhe të begatshme. Ju aftësoheni e zhvilloheni në profesione dhe aktivitete të ndryshme, por kurrë nuk duhet të harroni se është i Madhëruari Ai që jua krijon kushtet për to në tokë dhe është Ai që përkujdeset për ju me bujarinë dhe butësinë e Tij.

– “… Sa pak po falënderoni!” – Shumë pak mirënjohje po tregoni për Allahun Bujar dhe Bamirës, i Cili ju begatoi me mirësi të panumërta dhe largoi prej jush rreziqe e vështirësi të shumta.