Në këto ajete, Allahu i Madhëruar vijon që të shtjellojë këtë histori më hollësisht.
– “Kur djelmoshat u strehuan në shpellë, thanë: …” – Ata ishin një grup djemsh në lulen e rinisë, që u strehuan në shpellë për t’u ruajtur nga persekutimi prej popullit të tyre. Ata donin të ruanin të pacenuar besimin te Zoti, prandaj u lutën:
– “O Zoti ynë! Na dhuro mëshirë nga ana Jote. …” – Me mëshirën Tënde, forcoje besimin tonë dhe ruaje atë të pastër! Na ruaj nga çdo e keqe dhe na udhëzo të bëjmë mirë!
– “… dhe na jep udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” – Na lehtëso çdo rrugë e mjet që na afron drejt mirësisë dhe udhës së drejtë. Rregulloji të gjitha çështjet tona të fesë e besimit, por edhe ato të kësaj jete.
Të rinjë jo vetëm që iu lutën Zotit për të ruajtur besimin, por edhe morën masa duke bërë atë që kishin mundësi: ata u larguan nga shkaktarët e sprovës dhe devijimit, duke u fshehur në shpellë. Ata iu përgjëruan Zotit që t’ua lehtësonte çështjet. Ata kurrë nuk iu mbështetën forcave të tyre dhe as krijesave, por vetëm Zotit të Lartësuar. Dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tyre: