– “Bisedat e fshehta (për gjynahe) i nxit vetëm Shejtani, …” – Bisedat e fshehta dhe intrigat që armiqtë thurin kundër besimtarëve janë të nxitura nga Shejtani i mallkuar. Por, megjithatë, intrigat e Shejtanit janë të dobëta. Ajo që armiqtë mund të arrijnë përmes të tilla bisedash është thjesht një mërzitje e besimtarëve, siç thotë i Lartësuari:
– “… për t’u sjellë shqetësime atyre që besojnë.” – Ky është qëllimi i këtyre bisedave dhe deri këtu mund të arrijnë. Sido që të jetë, ato nuk mund të dalin nga kontrolli i Allahut të Madhëruar, që thotë:
– “Por ato nuk mund t’i dëmtojnë ata aspak, pa lejen e Allahut.” – Allahu i Madhëruar u premton besimtarëve se do të jetë i mjaftueshëm me mbrojtjen e ndihmën e Tij kundër jobesimtarëve, duke u dhënë fitoren mbi ta.. Allahu i Madhëruar thotë në një ajet tjetër: “Por, dredhia për të keqen nuk godet askënd tjetër veç atyre që e kurdisën.” [Fatir 43].
Armiqtë e Allahut, të Profetit dhe të besimtarëve, sado që të zhvillojnë bisedime të fshehta kundër besimtarëve dhe fesë së Allahut, të dëmtuarit do të jenë vetëm ata, thurësit e intrigave. Ndërsa besimtarët do të goditen veçse aq sa ka përcaktuar Zoti me urtësinë e Tij, prandaj vetëm Zotit le t’i mbështeten ata:
– “Prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët!” – Le t’i mbështeten Allahut, duke patur siguri të plotë në premtimin e Tij. Kush i mbështetet Allahut, Allahu do të jetë i mjaftueshëm për të; Allahu do të marrë përsipër të rregullojë të gjitha çështjet e fesë dhe të dynjasë së këtij robi.