– “Atyre që nuk besojnë nuk do t’u vlejë asgjë para Allahut, as pasuria e as fëmijët e tyre.” – Allahu i Lartësuar tregon se ata që mohojnë Atë dhe profetët e Tij, ata që refuzojnë të binden dhe të pasojnë fenë dhe Librin e Tij (Kur’ânin), meritojnë një ndëshkim të ashpër. Askush nuk mund t’i shpëtojë ata nga ky ndëshkim i merituar: as pasuria, as fëmijët e tyre, sepse këto nuk do t’u vlejnë aspak tek Allahu i Lartësuar.
Në jetën e dynjasë, ndoshta, me pasurinë dhe fëmijët e tyre, ata mund të shpëtojnë prej rreziqeve që u kanosen. Për këtë arsye, ata thonë, sikurse tregon Allahu i Lartësuar në suren Sebe, ajetet 35-37: “Ne kemi shumë pasuri dhe fëmijë, prandaj nuk do të ndëshkohemi apo të vuajmë ndonjëherë”.
Porse Ditën e Gjykimit, ata do të përballen me diçka që kurrë nuk e kanë llogaritur dhe menduar, siç thotë Allahu në suren Zumer, ajetet 47 dhe 48: “Edhe sikur e tërë çka gjendet në tokë, plus edhe një herë aq, të ishte e jobesimtarëve, ata do ta jepnin të gjithën për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në Ditën e Kijametit. Ata do të kenë prej Allahut atë (lloj ndëshkimi) që nuk kanë mundur as ta mendojnë.
Ata do të përballen me të këqijat që me duart e tyre i fituan. Për ta u bë i pashmangshëm dënimi, për shkak të talljeve që ata bëjnë.”. Tek Allahu nuk kanë asnjë vlerë pasuria dhe fëmijët e robit, por atje bëjnë dobi veçse besimi i sinqertë, i shoqëruar me vepra të mira. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:
– “… Ata (jobesimtarët) do të jenë lënda djegëse e Zjarrit.” – Dënimi i këtyre mohuesve do të jetë zjarri i Xhehenemit, madje ata do të jenë lënda djegëse e tij. Ata do të qëndrojnë në të përjetësisht e pandërprerë.