– “Vetëm Allahun e madhëron me (tesbih) përlëvdim gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. – Në këto ajete të mrekullueshme përmenden disa nga atributet madhështore të Allahut të Lartësuar. Në to flitet për meritën e plotë të Allahut për të qenë i adhuruar, flitet për zotërimin e Tij absolut dhe për faktin se Ai nuk ka kurrë nevojë për krijesat e Tij, ndërkohë që të gjitha krijesat janë të varfëra, nevojtare, të përulura dhe të nënshtruara ndaj Tij. Gjithçka në qiej dhe në Tokë i bën tesbih Allahut të Lartësuar, duke e lavdëruar dhe duke e adhuruar Atë si Një, të Vetëm dhe të Pastër nga çdo e metë dhe mangësi.
– “Vetëm Atij i përket i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon lavdia! – Pushteti është totalisht vetëm në dorë të Allahut. Asnjë krijesë nuk del jashtë pushtetit të Tij. Lavdia e plotë, falënderimi dhe mirënjohja i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Ai është i lavdëruar për cilësitë e Tij të plota dhe absolute. Ai është i lavdëruar për gjithçka që ka krijuar dhe e ka bërë të ekzistojë. Allahu meriton lavdinë për çdo ligj që ka vendosur për funksionimin e gjithësisë dhe për t’u zbatuar nga krijesat. Ai është i lavdëruar për të gjitha mirësitë që ka dhuruar me bujarinë e Tij. Allahut i takon mirënjohja e plotë!
– “Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.” – Fuqia e Allahut është absolute. Nuk ka asgjë të pamundur për Allahun, nëse Ai dëshiron të bëjë diçka.