Allahu i Lartësuar na mëson se si të kërkojmë ndihmë, strehim, mbrojtje, ruajtje nga çdo sherr që na kanoset. Ai na urdhëron që të kërkojmë ndihmën e Tij, duke thënë:
– “Thuaj: “Kërkoj strehë te Zoti i agimit, …” – Domethënë, i drejtohem për ndihmë, mbrojtje, strehim ose ruajtje Allahut. Ne porositemi që t’i drejtohemi për ndihmë, mbrojtje, strehim ose ruajtje Allahut, që quhet edhe Rabbul feleķ – Zoti i agimit. Eshtë Allahu që e bën të çelë agimin. Është Ai që e bën farën të çelë dhe të mbijë, prandaj vetëm Atij lutjuni, që t’ju ruajë nga çdo e keqe që i druheni!