Select Page

I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë!El-Hamdu (lavdërimi) është të përlëvduarit e Zotit përmes cilësive dhe veprave të Tij të mrekullueshme. Vetëm Allahut të Lartësuar i takojnë lavdërimet e plota, sepse Ai është i lavdërueshëm për të gjitha cilësitë e Tij. Ato janë cilësi që tregojnë se Ai është i Plotë dhe Absolut. Veprat e Zotit janë të gjitha të lavdërueshme dhe Ai e meriton ta përlëvdosh për to, sepse ato ndërtohen mbi bamirësinë dhe drejtësinë. Për bamirësinë,

Ai meriton që ta lavdërosh dhe t’i jesh mirënjohës dhe falënderues. Për drejtësinë, Ai duhet lavdëruar dhe duhet madhëruar. Ai duhet përlëvduar edhe për urtësinë e Tij të gjerë në atë që vendosi. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e lëvdon veten e vet për faktin se Atij i takon ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. Ai është Pronari e Sunduesi i tyre dhe ato janë të gjitha krijesa të nënshtruara, poshtë pushtetit e mbretërimit të Tij. Ai vepron dhe kujdeset për ta, dhe për këtë meriton të gjitha lavdërimet.

I lavdëruar qoftë Ai në Botën Tjetër! Sepse në ahiret do të dalin në pah shumë lavdërime, që nuk janë në dynja. Kur njerëzit e të gjitha krijesat të shohin se si Allahu do të gjykojë me barazi dhe me drejtësinë e Tij të plotë dhe të shohin qartë urtësinë e Tij në gjykim, të gjithë do ta ladërojnë për këtë. Madje, edhe ata që kanë merituar dënimin dhe që do të hyjnë në zjarr, do t’i kenë zemrat të mbushura me përlëvdim për Zotin. Ata do të pranojnë se ai ndëshkim është i drejtë, sipas veprave të tyre, dhe se Allahu ka qenë i Drejtë në gjykimin e Tij për ndëshkimin e tyre.

Ndërsa për sa i përket përlëvdimeve të Zotit në vendin e kënaqësive, të shpërblimit dhe mirësive të pafund, kjo është një çështje që ka ardhur përmes lajmesh të shumta, që janë në përputhje me argumente tradicionale të dëgjuara dhe atyre logjike. Kur ata fatlumë të hyjnë në Xhenet, do të shohin mirësi të pashtershme prej Allahut. Dhuratat e Tij do të jenë të panumërta, sepse Ai do të japë shumë më tepër sesa mund të mendojë ndokush. Aq shumë jep, saqë në zemrat e xhenetlinjve nuk mbetet më vend për të kërkuar diçka të re, sepse Zoti u ka dhënë shumë më tepër sesa kanë kërkuar e ëndërruar. Ai do t’u japë shumë mirësi që nuk i kanë menduar ose ëndërruar kurrë.

Atëherë, si mendon se do të lavdërojnë ata Zotin e tyre në atë gjendje? Pastaj mendo edhe për një fakt tjetër: Në Xhenet nuk ekzistojnë më barriera, që të të pengojnë nga dituria rreth Zotit, dashuria dhe thurja e lavdeve për Të. Madje, të tilla gjëra do të jenë ndër gjërat më të dashura për robin dhe një kënaqësi shumë e veçantë e banorëve të Xhenetit. Asnjë kënaqësi e mirësi në Xhenet nuk mund të krahasohet me këtë. Për këtë arsye, kur ata të shohin Allahun e të dëgjojnë fjalën e Tij, kjo do t’i bëjë që të harrojnë çdo mirësi tjetër në Xhenet.

Përmendja dhe lavdërimi i Zotit në Xhenet do të jetë diçka e natyrshme, njëlloj si frymëmarja që bëhet pa asnjë lloj vështirësie dhe në mënyrë të vazhdueshme. Përveç kësaj, në Xhenet atyre do t’u shfaqen në çdo çast shumë shenja të Zotit të tyre, prej bukurisë dhe cilësive të Tij absolute. Kjo do t’i bëjë që edhe përlëvdimet e tyre për Zotin të jenë të plota.

Ai është i Urti, i Gjithëdituri (për të fshehtat). – Ai është i Urtë në sundimin, mbretërimin dhe administrimin e çështjeve të krijesave. Ai është i Urtë edhe në urdhëresat, ndalesat dhe të gjitha ligjet e Tij. Gjithashtu, Ai është i Gjithëditur për çdo të fshehtë. Ai i di në hollësi të gjitha çështjet e fshehta.