Select Page

I lavdëruar qoftë Allahu, Krijuesi i qiejve e i tokës (nga asgjëja), … – Allahu i Lartësuar e lavdëron veten e Vet për krijimin e qiejve dhe të tokës dhe të çdo krijese në to. Ai e lavdëron veten sepse ky krijim madhështor tregon për pushtetin e Tij të gjerë, sundimin e Tij gjithëpërfshirës, për mëshirën e Tij të pashembullt, për urtësinë e Tij të paanë e diturinë e Tij të pafund. Pasi përmendi faktin që Ai është Krijuesi i gjithçkaje, vijoi të përmendë edhe çështjet e tjera plotësuese, që janë domosdoshmëri për krijesat:

”… i Cili i bëri melekët të dërguar me nga dy, tre dhe katër palë krahë.Melekët e Zotit janë zbatuesit e urdhrave të Tij të krijimit dhe të përkujdesit për krijesat. Ata janë të ngarkuarit e Zotit për trasmetimin e urdhëresave dhe ligjeve të Tij fetare. Vërej me kujdes kur Allahu thotë: “… i Cili i bëri melekët të dërguar…” Kjo fjali i përfshin të gjithë melekët e Zotit, gjë që tregon se të gjithë melekët e Zotit janë rob të bindur dhe të nënshtruar ndaj Tij.

Duke përshkruar melekët, Allahu i Madhëruar thotë: “… nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron. Ata zbatojnë gjithçka për të cilën urdhërohen.” [Tahrim 6]. Duke qenë se melekët përmbushin urdhrat e Tij, Allahu i Madhëruar përmend forcën e tyre të madhe, shpejtësinë dhe saktësinë e përmbushjes së detyrave të tyre. Ai na tregon se i ka bërë melekët: “…me nga dy, tre dhe katër palë krahë”, që të fluturojnë me shpejtësi në zbatimin e detyrave të Zotit. Ai i ka bërë ata me dy, tre dhe katër palë krahë, sipas urtësisë së Tij.

Ai shton në krijim çfarë të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.Allahu i Madhëruar veçon disa krijesa nga disa të tjera me cilësi të spikatura, për shembull, me forcë të madhe ose bukuri, me gjymtyrë të shtuara më shumë nga e zakonshmja, me zë të bukur që të mahnit etj.