Ky ishte një deklarim i qartë nga Allahu i Madhëruar dhe Profeti i Tij, drejtuar të gjithë idhujtarëve, se ata do të afatizoheshin për katër muaj. Gjatë kësaj kohe, ata mund të lëviznin lirisht, të sigurt nga besimtarët. Por pas katër muajve, nuk kishte më marrëveshje me ta. Sigurisht, këtu bëhej fjalë për ata idhujtarë me të cilët Profeti (a.s)nuk kishte lidhur ndonjë marrëveshje ose kishte pakt mosluftimi deri në katër muaj maksimumi. Ndërsa për ata me të cilët kishte marrëveshje me kohëzgjatje më të madhe se katër muaj, ishte i detyrueshëm respektimi i marrëveshjes deri në afatin e caktuar, nëse nuk i trembej tradhtisë nga ana e tyre, ose nëse ata nuk e shkelnin të parët paktin.
Më pas, Allahu i Madhëruar i kërcënon të afatizuarit se, edhe pse kishin këtë pakt sigurie, ata kurrsesi nuk mund t’i shpëtonin Allahut dhe ndëshkimit të Tij. Çdokush që vazhdon në shirk, le ta dijë se Allahu i Lartësuar ka për ta poshtëruar. Nëse thelloheshin në këto ajete dhe në kërcënimin e tyre, kjo do të shërbente që ata të pranonin Islamin. Mund të refuzonin veçse ata të cilët i kishte pushtuar urrejtja, inati e armiqësia ndaj të vërtetës e besimit të pastër; vetëm të tillët mund të shpërfillnin kërcënimin e Allahut të Madhëruar.